Kompania Microsoft ka njoftuar se sistemi i ri operues i kompjuterëve ‘Windows 10’ do të zëvendësojë jo dhe aq të pëlqyerin Windows 8, duke kaluar një numër serie për të treguar hapin e madh drejt unifikimit të mënyrës së të punuarit në ‘tableta’, celularë dhe kompjuterat tradicionalë.

Versioni i ri i produktit më të famshëm të Microsoft ka si qëllim të zërë tregun e gjerë që kryesisht nuk i dha vëmendje pamjes së re të Windows 8.

Windows 10 do të jetë ” platforma jonë më e gjerë,” tha Terry Myerson, kreu i sistemeve operuese të Microsoft, gjatë një eventi në San Francisco. Vetëm 20 për qind e kompanive kishin përdorur versionin Windows 8, të prodhuar dy vjet më parë. Shumë përdorues nuk pëlqyen përshtatjen me prekje të ‘interface’ dhe humbjen e menusë tradicionale me butona.

Windows 10 do të përfaqësojë një tip të ri sistemi që përshtatet për përdorim me Xbox, kompjutera, tableta, celularë dhe mjete të tjera, sipas Myerson.

Microsoft ka një sfidë të vështirë në rindezjen e interesit për Windows, pas avancimeve të bëra nga Apple me iPhone e iPad, si dhe sistemet Android të Google.

Prej monopolit të gjerë që ajo zotëronte 10 vjet më parë, tani Windows llogaritet të përdoret në vetëm14 për qind të mjeteve elektronike, sipas grupit kërkues Gartner.

Myerson nuk tha me saktësi se kur do të dilte produkti i ri por zyrtarë të Microsoft po tentojnë për prezantimin e plotë në pranverë 2015.