Unë jam një qytetare me origjinë nga Dangëllia, ndonëse kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Kur pashë për herë të parë Kanionet e Langaricës dhe Bredhin e Hotovës, isha fare fëmijë. Mbaj mend se i pata thënë babait, i cili në atë kohë ishte ende ushtarak: “Përse nuk vijmë të jetojmë këtu babi? Është shumë herë më bukur se në Tiranë”. Vitet ikën një nga një dhe unë u rrita. Tashmë fati më solli sërish në këtë zonë të mrekullueshme që të shihja Bënjen, e cila është e famshme për llixhat e mijëvjeçare, që datojnë që nga koha e romakëve. Madje edhe emrin kjo zonë e ka marrë prej latinishtes. Ishte hera e parë për mua që ndodhesha atje. Pata një ndjesi të jashtëzakonshme dhe vërtet jam e bindur se e gjitha ajo zonë ka veti kuruese të pakrahasueshme. Bukuria e radhë nisi të shfaqej që në Grykën e Këlcyrës dhe vazhdonte si një panoramë e stërgjatë dhe e pandërprerë përgjatë të gjithë kanionit, deri përtej vendit të quajtur Ura e Kadiut. Fjalët janë shumë të varfra për ta përshkruar atë mrekulli të natyrës. Gjithçka shkonte në harmoni të paqtë dhe plot ngjyra me natyrën. Një mjedis jugor përrallor. Lumi Langarica përshkonte të gjithë kanionit që nga vendburimi dhe deri te grykëderdhja në lumin Vjosë. Kanioni ishte i ndarë prej tij dhe ngjasonte i brishtë dhe i ëmbël, si një tortë e ndarë përgjysmë. Më sipër qëndronte hijerëndë mali Nemërçkë, i cili fsheh sekretin më të bukur me hijen e tij, mrekullinë e Zotit, ujërat termale. Ato burojnë nga rrëzat e shkëmbinjve, të ftohtë dhe të ngrohtë, si një dhuratë hyjnore për njeriun. Këto vaska natyrore qëndrojnë në qiell të hapur dhe janë të rrethuara me prita guri dhe të mbështjella me ajrin e natyrës. Ky kompozim hyjnor-artistik i natyrës bën të mundur edhe rritjen e perimeve më të shëndetshme që mund të gjenden në tokë. Sa keq që nuk ushqehemi të gjithë jetën me to! Gjithsesi, ashtu si edhe natyra, edhe njerëzit, banorët e zonës ishin po aq të mrekullueshëm, mikpritës dhe të dashur. Ata nuk kanë ndasi me njëri-tjetrin dhe janë të vetëdijshëm për dhuratën që ua ka dhënë Zoti. Dhe kështu, prej shekujsh janë përpjekur me mish dhe shpirt që ta mbajnë të paprekur këtë zonë nga dora e zezë e shkatërrimit dhe nga ndotjet e “demokracisë”. Një komunitet i vogël, por i madh në shpirt. Kjo ka bërë që ky vend të tërheqë shumë turistë të huaj, të vilët janë të dhënë pas natyrës dhe bukurisë së saj dhe që janë të lodhur prej luksit banal dhe turizmit të shtirur mondan në Perëndim të Shqipërisë. Të gjithë të huajt që njoha atje ishin mjaft të habitur prej mrekullisë së Langaricës dhe mënyra se si flisnin për të përmbante edhe një lutje brenda për të mos vënë dorë mbi atë “parajsë” mbi tokë. Mirëpo, kur po largoheshim, pamë disa mjete betoniere që shkonin dhe vinin. Pasi pyetëm kuptuam se po bëheshin përgatitjet për të ndërtuar një HEC në kanion. Ç’është ky HEC në parajsë?! Mendohuni mirë përpara se të ndërtoni në këtë zonë, pasi HEC-i mund të ndryshojë të gjithë ekosistemin e Langaricës. Duhet ta mbroni këtë mrekulli ashtu sikurse keni bërë për mijëra vjet.