Plas "bomba atmosferike", ngordhin tonelata midhjeSARANDË- Një bombë atmosfer ike e vërtetë është quajtur nga kultivuesit e midhjes ajo që ka plasur këto ditë në rezervatin e vetëm të midhjes shqiptare, Liqenin e Butrintit. Të paktën 60 subjekte që ushtrojnë këtë biznes janë në gjendje katastrofe ekonomike, pasi po humbin prodhimin për shkak të temperaturave që kanë tejkaluar çdo parametër të përballueshëm nga gjallesa e midhjes. Kultivues të saj që i kontaktuam ditën e djeshme na thanë se vargjet e midhjes po ngordhin një pas një, nën veprimin e temperaturave ekstreme, që sipas tyre si rrallë ndonjëherë kanë arritur në 40 gradë. Në 200 ton arrin sasia e pavjelë dhe e panxjerrë nga liqeni vetëm për një prej 60 subjekteve që operojnë në liqenin e Butrintit.

Nga kjo katastrofë, vetëm për sasinë e dëmtuar të një biznesi humbja shkon deri në 200 milionë lekë të vjetra. Por e vërteta e trishtueshme është se midhja e zhvilluar e Butrintit, pikërisht kur ka arritur në madhësinë 5 cm dhe kur ka kohën më të mirë për të shkuar në treg, goditet nga faktori temperaturë në mënyrën më të pazakonshme. Ne shkuam në liqen, në krevatinat që shërbejnë për kultivimin e midhjes dhe pamë vargje të tëra, me të paktën 30 kg prodhim që kishin dhënë sinjalin e fundit të jetës ose kishin ngordhur. Dëmi është kaq i jashtëzakonshëm në vlerësimin e situatës, sa 60 kultivuesit e midhjes e quajnë atë një bombë atmosferike që u ka plasur këto ditë.

Shpëtuese do të ishte hapja e digës në Vivar, në një prej portave dalëse nga Liqeni i Butrintit, ndërkohë që e njëkohshme, thanë ata, është edhe nevoja për depërtimin e ujit të freskët të lumit të Bistricës, që gjithnjë ka shërbyer si rregullator i ekuilibrave ekologjikë në Liqen. Biznesmenët e midhjes në Butrint e dinë mirë se në kushtet kur Liqeni është bërë një enë jokomunikese, katastrofa vetëm pritet të rrisë përmasat. Prandaj ata sugjerojnë që strukturat e shtetit duhet të veprojnë një minutë e më parë për të hapur digën e Vivarit, të bllokuar prej kohësh nga prurjet e rërës. Në të kundërt, ajo pjesë fundore e liqenit do të kthehet në një varrezë të gjallesave dhe pasurisë liqenore. Prishja, tregojnë kultivuesit, nisi nga Vivari i Butrintit dhe u përhap si fenomen domino në të gjithë shtretërit e midhjes, duke sjellë ngordhjen masive. Apeli i kultivuesve merr tone alarmi pasi ndihen para rrezikut real që bashkë me tonelatat e guaskës të humbasë dhe fara e midhjes dhe ky do të ishte një dëm i parikuperueshëm. Absurdi që rrethon kultivuesit e midhjes së liqenit të Butrintit, shtrihet sa në mungesën e kontratave me shtetin, aq edhe në dyert e mbyllura që ata thonë se kanë gjetur në kompanitë private të sigurimit.

“Është e pabesueshme kjo,- shprehet një kultivues i midhjes në Sarandë, – por nuk na i kanë dashur as lekët në kompanitë e sigurimeve në momentin që kanë mësuar se kemi dashur të sigurojmë prodhimin e impianteve të midhjes në Manastir të Ksamilit”. Ata që kanë më shumë se dy dekada në këtë profesion tregojnë se në situata të tilla të ngjashme janë vënë edhe dy herë të tjera më parë. Ata që e kanë përjetuar prag-katastrofën tregojnë se edhe peshku ka ngordhur në masë dhe u është dashur të mbledhin kokërr për kokërr midhjen e shpëtuar. Sipas tyre, kapërcimi i situatës së krahasueshme u bë i mundur vetëm pasi u fut Bistrica në Liqen. Paralelisht me këtë rast, ata kërkojnë që të ndodhë e njëjta gjë edhe me midhjen. Të hapej diga në Vivar, në një prej portave dalëse nga Liqeni i Butrintit.
Burimi: http://www.gazetashqiptare.com