Ngjalat e ngordhura në Liqenin e Ohrit, specialistët: Të infektuaraPOGRADEC – Zbardhet shkaku i ngordhjes masive të ngjalave në Liqenin e Pogradecit. Shefi i veterinarisë në Drejtorinë e Bujqësisë së Pogradecit, Dhimitraq Ve-shi, dje ka deklaruar se epidemia ka ardhur për shkak të hedhjes në liqen të rasateve të infektuara nga pala maqedonase. Që prej një muaji përgjatë bregut të liqenit janë vënë re mijëra ngjala të ngordhura. Epidemia ka arritur kulmin ditët e fundit, se përveç zonës së Hudenishtit, ajo është shtrirë në të gjithë bregun e liqenit deri në Tushemisht. Veshi sqaron se mostrat e ngjalave të ngordhura i kanë çuar në laboratorin qendror për të zbuluar shkakun e këtij fenomeni. Sipas një përgjigje zyrtare që ka mbërritur nga Laboratori Qendror i Veterinarisë në Tiranë, shkaku i ngordhjes së ngjalave ka qenë një infeksion që kanë patur ngjalat gjatë riprodhimit artificial. Pas kësaj përgjigje, specialisti i peshkimit, Vladimir Peshkatari, u shpreh se varietetet e ngjalave që po lëshohen në liqen, nuk kanë më të njëjtin imunitet si ngjalat e dikurshme. Peshkatari tha se nuk përjashtohet mundësia që rasatet e ngjalave që janë hedhur para disa muajsh në liqen nga pala maqedonase të kenë qenë të infektuara. Sipas tij, këtë gjë e tregojnë analizat e bëra, dhe se ky fenomen ka rrezik të përsëritet. “Ngjalat që lëshohen tani në liqen, nuk janë më aq të fuqishme imunologjikisht, sikurse ato që vinin përmes rrugës natyrore nga deti i Sargasovit. Në ujërat e liqenit të Ohrit vinin ngjala që kishin shumë imunitet”, – deklaroi specialisti Peshkatari. Mësohet se rruga shtegtuese e ngjalave u ndërpre 50 vjet më parë, me ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhën e lumit të Drinit të Zi. “Sasia e ngjalave është zvogëluar mjaft vitet e fundit, ndaj nuk do të ishte keq që lëshimi i tyre në liqen të bëhet dy herë në vit. Me ndërprerjen e rrugës natyrale, larvat e ngjalave janë sjellë nga Greqia. Nuk jemi të kënaqur, sepse janë hedhur ekzemplarë që peshojnë 250 deri 300 gram. Më parë pllenoheshin ngjala më të vogla, të cilat kishin tjetër rezistencë. Në Maqedoni ekziston që prej 7-8 vjetësh projekti ndërkombëtar për vendosjen e sërishme të rrugës së ngjalave nëpër Drinin e Zi drejt detit të Sargasovit. Por, tani për tani, asnjë Qeveri nuk ka treguar interes për këtë projekt, i cili nëse nuk vihet në zbatim do të sjellë zhdukjen e plotë të ngjalave nga liqeni i Ohrit”, pohoi Vladimir Peshkatari.
Burimi: http://www.gazetashqiptare.com