Ndotja nga djegia e druve, të frikshme mbrëmjet në Athinë Alarm për ndotjen e atmosferës në Greqi, ku mbrëmjeve, re gjigande të zeza mbulojnë Athinën dhe zona të tjera. Shtypi i përshkruan si “të frikshme” mbrëmjet, kur smogu mbulon kryeqytetin grek dhe i kombinuar me lagështinë, krijon një atmosferë mbytëse.

Shkencëtarët regjistruan ndotjen në vlerat maksimale, 300 mikrogramë për metër kub, në një kohë që kufiri ligjor është 50 mikrogramë për metër kub, kufi që nuk duhet të kalohet më shumë se 35 herë në vit.

Që nga e mërkura e kaluar, 7 universitete dhe qendrat kërkimore në vend, kanë filluar përpjekjet për të identifikuar grimcat e ndotjes së ajrit në atmosferë, studim që do të përfundojë në mes të shkurtit. Qëllimi është të identifikohen saktësisht burimet e ndotjes dhe përbërja kimike e grimcave të lëshuara nga oxhaqet dhe sobat me dru, por rezultatet e para janë tepër shqetësuese.

Shkencëtarët nuk kanë asnjë dyshim në lidhje me ndikimin negativ që shkakton reja e smogut mbi shëndetin, duke theksuar se djegia e drurit mund të shkaktojë ndotje 3 herë më të lartë se sa ndotja e shkaktuar nga makinat, dhe ndikon më rëndë në grupet e rrezikuara të popullatës.

Studimet tregojnë se grimcat e ndotjes nuk vihen re vetëm në Athinë, por edhe në zona të tjera të Greqisë, ku popullata në këtë kohë të vështirë krize, ka filluar të ngrohet me dru zjarri, për shkak të çmimeve të papërballueshme të naftës dhe gazit, që përdoren gjithashtu për ngrohje.

Burimi: http://www.vizionplus.tv