Lindjet me peshë të vogël të lidhura me aneminë e nënësTIRANË- Lindjet me peshë të vogël përbëjnë 3.5 % të lindjeve në Shqipëri, ndërsa shpesh janë të lidhura me aneminë e nënës. Këto foshnja (rreth 1260) do të vuajnë rrezikshmëri më të lartë të vdekshmërisë, thonë specialistët e shëndetësisë.

Ndërkohë studimet e fundit shendetesore arrijnë në përfundimin se krahasuar me lindjet me peshë normale, foshnjat që peshojnë 1500-1999 gram kishin 8.1 herë më shumë predispozitë të vdisnin dhe ato që peshonin 2000-2499, 2.8 herë më shumë predispozitë që të vdisnin gjatë muajit të parë të jetesës, sesa të sapolindurit që peshonin 2500 gramë.

Sa i takon anemisë tek nënat, Studimi Demografik Shëndetësor, i realizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, INSTAT, në bashkëpunim me organizmat ndërkombëtare shëndetësore që operojnë në vendin tonë, konstatoi se 28 % e grave që ushqenin foshnjat me gji ishin anemike, siç ishin dhe 23 % e grave në zonat rurale në përgjithësi. Ndërsa të dhënat për ushqyerjen gjatë shtatzanisë janë të pakta ose të pjesshme. “Gjatë një studimi të kryer në zonën e veriut, vetëm 25 % e grave thanë se kishin ndryshuar dietat e tyre kur ishin shtatzana”, thuhet në Stratetegjinë e Komunikimit për Reduktimin e Kequshqyerjes së Fëmijëve në Shqipëri, të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, UNICEF, Grupi i Ekspertëve Kombëtarë për Përgatitjen e Planit të Komunikimit për Ndryshimin e Sjelljes për Ushqyerjen, specialistë të Zyrave të OBSH dhe FAO.

Vetë kequshqyerja amësore, sipas specialistëve, mund të çojë në komplikacione gjatë lindjes ose në lindje me peshë të vogël.
Burimi: http://www.top-channel.com