Risia teknologjike për 2013: Celularë e kompjuterë prej gome!Një lajm i mirë për këtë fillimviti… Nëse aparati juaj celular deri pak kohë më parë ishte i thyeshëm dhe lehtësisht i dëmtueshëm, për shkak të pakujdesive, apo akrobacive të ndryshme që mund të ndodhin në shtëpi dhe ambiente të tjera publike, tashme kompanitë celulare kanë menduar një zgjidhje më të pranueshme, që njëfarësoj e bën celularin tuaj “të pavdekshëm”. Materiali prej gome është koncepti i ri i celularit të 2013-s edhe më tutje, çka duket se do t’i hapë rrugë edhe prurjeve të tjera teknologjike, siç mund të jetë televizorët e kompjuterët prej gome.

Kompanitë “LG” dhe “Samsung” janë shprehur të gatshme për të prezantuar në tregun botëror brezin e ri të telefonave celularë, mandej të tabletave elektronike I-Pad etj. praktikisht të pashkatërrueshme. Me të njëjtat parime pune dixhitale, materiali fleksibël prej gome jo vetëm që i bën më praktikë aparatet e informacionit apo komunikimit me të cilët jemi në kontakt gjatë gjithë kohës, por duke u investuar bindshëm jo vetëm në cilësinë e shërbimit dhe në atë të sigurisë, ky tip i ri i telefonave prej gome, që priten të dalin pas pak ditësh në shitje, i përjashton nga efekti i dëmtimit kësi aparatesh, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm.

Veshja e jashtme prej gome është vetëm një element, ndërsa bateritë pritet të jenë prej një lloji të ri pëlhure, në të cilën grumbullohet energjia e rikarikueshme. Sa i takon pranisë së tasteve, apo sensorëve të manovrueshëm përmes prekjeve, këto aparate interesante teknologjike prej gome do të kryejnë njësoj funksionet e tyre, duke pasur njëherësh edhe një tjetër bonus në përdorim: pikërisht të qenit thjesht të padëmtueshëm!

Ndaj, përgatituni që të ndërprisni faturat e kripura të blerjeve, pasi celulari u ka rënë nga xhepi dhe i është thyer ekrani, ose dikush tjetër nga pakujdesia e ka marrë aparatin tuaj duke bërë akrobacira me të. Materiali prej gome do të jetë shpëtimi juaj për blerjet e reja të produkteve teknologjike, që realisht ju rëndojnë në buxhetin personal.

Burimi: http://www.topchannel.tv