Restaurohen 182  monedha argjendi  nga thesari i FiniqitTIRANË– Laboratori i Konservimit dhe Arkeometrisë ka përfunduar procesin e plotë të restaurimit të 182 monedhave argjendi, pjesë e një thesari të zbuluar pak kohë më parë në rrethinat e qytetit të lashtë të Finiqit.
Bashkë me koleksionin e monedhave të lashta, të cilat nga hetimet e para të restauruesve janë venedikase dhe i përkasin shekullit të XII-të, u restaurua edhe një unazë argjendi me shqiponjë me një kokë, e cila ndodhej në brendësi të thesarit.
Në çastin e zbulimit e më pas të sjelljes së tyre për restaurim, sipas drejtuesit të Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, Frederik Stamati, “të gjitha monedhat ishin jeshile dhe të përziera me baltë, për shkak të efekteve të korrozionit mbi elementin e bakrit që përmbanin monedhat”.
Pas kësaj, thesari i zbuluar në rrethinat e Finiqit u dërgua pranë laboratorit të drejtuar nga Stamati, pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike, aty ku monedhat dhe unaza prej argjendi iu nënshtruan procesit të restaurimit.
Stamati tha se thesari, sipas një klasifikimi më të detajuar, i përket gjashtë llojeve të ndryshme të monedhave të zbuluara, prej të cilave, dy janë më të mëdha.
“Rezulton se jo të gjitha monedhat janë prej argjendi të pastër. Monedhat me kryq, që përbëjnë grupin e dytë për nga madhësia, janë prej bakri e të lara me një shtresë të hollë argjendi, ndërsa të tjerat janë prej argjendi të përziera me bakër”, theksoi ai.
Drejtuesi i laboratorit bëri të ditur se “pas restaurimit doli në dritë se monedhat janë prerë me gërshërë e më tej është bërë stampimi i faqes dhe shpinës”.
Sipas tij, monedhat do t’u dërgohen për studime të mëtejshme specialistëve numizmatë (të monedhave), të cilët do të vijojnë studimet “e ta fusin këtë thesar në rrjedhat historike të kohës, të gjejnë ndikimet ekonomike, lidhjet tregtare dhe ajo çka është më e rëndësishme, rrethanat në të cilat poseduesi i tyre u detyruar ta fshinte nën tokë këtë thesar”.

Foinikia

Fshati i Finiqit ndodhet në rrethin e Delvinës. Njihej me emrin e lashtë, Foinikia, si kryeqendër e Kaonëve, ndërsa në shekullin III-të u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit.
Sipas Polibit, Foinikia ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Vendbanimi i lashtë ngrihej në një kodër, në formën e një anijeje të përmbysur, ndërsa fshati i sotëm, ndodhet në rrëzë të kësaj kodre.
Fshati ka tri seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit si dhe muret e qytetit të fortifikuar. Të fundmet, dallohen për vëllimin e madh e datojnë me përafërsi midis shekujve të IV-të dhe II-të Para Krishtit. Në brendësi të ish-qytetit të fortifikuar, ndodhen rrënojat e mureve greke dhe romake. Në fshatin e Finiqit, gjenden ende mbetje të mureve greke, por ato të periudhës romake janë më të shumta në numër.
Në zonën e akropolit, kohë më parë u zbulua një thesar i vogël, që në periudhën bizantine u shndërrua në baptister. Po ashtu, në fshatin e Finiqit u zbulua një teatër me kapacitet të madh si dhe janë gjendur tri cisterna që i përkasin periudhës midis shekujve të V-të dhe të III-të Para Krishtit.
Prej vitit 2000 një mision arkeologjik i Universitetit të Bolonjës (Itali) kryen rregullisht gërmime arkeologjike në këtë qëndër. Në rrethinat e Finiqit janë zbuluar disa thesare të kësaj natyre.
Më parë, sipas Qendrës së Studimeve Albanologjike, janë gjetur “dy thesare të tjerë, madje më të mëdhenj dhe që tani ndodhen të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Butrintit”.

Burimi: http://www.panorama.al