Plani për të kolonizuar planetin MarsQyteti holandez Noordwijk nuk njihet si qendër e fluturimeve hapsinore, por kjo do të ndryshojë në vitin 2023 kur një anije hapësinore do të niset drejt planetit Mars. Kompania Mars One, ka në plan të ndërtojë koloninë e parë njerëzore në Planetin e Kuq brenda 11 vitesh. Fillimisht do të jenë katër astronautë që do të nisin kolonizimin e Marsit dhe pastaj çdo dy vite, kolonisë do t’u shtohen nga katër njerëz të tjerë. Materiali në vazhdim sjell më shumë detaje rreth këtij plani futuristik.

Ky projekt ka pushtuar imagjinatën e të apasionuarve për hapsirën dhe teknologjinë. Faza e parë e operacionit do të fillojë në vitin 2016 me dërgimin në hapsirë të një sateliti telekomunikacioni dhe një kapsule banimi prej 5 metrash. Dy vite më pas, misioni do të dërgojë në Mars një automjet robot për të gjetur vendin më të mirë për vendosjen e kolonisë.

Viti 2020 do të shënojë dërgimin në Planetin e Kuq të infrastrukturës teknologjike dhe të komunikimit. Paisjet e nevojshme për të jetuar në Mars do të dërgohen në vitin 2020.
Sapo të sigurohet jeta në atë planet, mjeti hapësinor Mars One do të niset drejt Marsit në vitin 2022 për të mos u kthyer më në Tokë. Ekipi prej katër njerëzish do të arrijë një vit më vonë dhe nuk do të kthehet më. Ekipi holandez thotë se nuk ka aftësitë për të ndërtuar një raketë të aftë për t’u rikthyer në tokë.

Misioni Mars One synon të ndërtojë komunitetin e parë njerëzor në hapësirë. Biznesmeni holandez 35 vjeçar, Bas Lansdorp, është themeluesi i sipërmarrjes hapësinore. Ai financoi projekton Mars One përmes shitjes së aksioneve që kishte në kompaninë energjitike me erë.

Ai thotë se vajtja në Mars ka qënë një ëndërr e hershme për të, ndërkohë që arriti në përfundimin se mund të përdorte publicitetin e medias për të krijuar të ardhura për financimin e projektit.

“Është ëndërra ime 15 vjeçare për të shkuar në Mars. Marsi më tërheq. Është një planet interesant me shkretëtira, male, fusha. Është një planet i bukur. Një mik më dha idenë e financimit të misionit njerëzor në Mars përmes krijimit të një spektakli nga media”.

Ekipi i tij, në konsultim me kompani të rendësishme që furnizojnë ushtrinë për misionet hapësinore, thotë se projekti i jetës në Mars mund të realizohet me teknologjinë egzistuese. Zoti Landsdorp thotë se kjo ndërmarrje mund të kushtojë rreth 6 miliard dollarë.

“Tingëllon si një shumë e madhe parashë, por ne kemi në plan që të jemi të pranishëm në media në mënyrë që gjithçka që bëjmë të shihet nga e gjithë bota. Jo vetëm suksesi, por edhe dështimet. Njerëzit do të shohin nga afër eksperiencën e astronautëve në Mars”.

Ekspozimi ndaj rezatimit do të jetë një çështje e mprehtë për banorët e Marsit. Dërgimi i një mbrojtësi nga rezatimi që është e lehtë për transportim në Mars, dhe e fuqishme sa duhet për të mbrojtur njerëzit nga efektet e rezatimit është një sfidë logjistike për ekipin Mars One.

Shkencëtari Bernard Foing me Agjencinë Evropiane të Hapësirës dhe ekspert i njohur për Hënën dhe Marsin thotë se megjithëse është gjetur ujë akullnajash në Mars, gjetja e burimeve ujore për nevojat njerëzore mund të jetë problematike.

“Marsi është më i vogël se toka dhe ende nuk mund të ruajë atmosferën si planeti ynë. Besojmë se Marsi është shumë i thatë dhe i ftohtë. Tani nuk shikojmë shumë ujë por kemi gjetur disa zona që që tregojnë se ka pasur sipërfaqe ujore, ndoshta disa lumenj e liqene dhe kemi gjetur ujë akullnajash në Mars.”

NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës kanë zbuluar kohët e fundit atë që duket të jetë ujë akullnajash, por duhen bërë më shumë kërkime thotë zoti Foing. Ai thotë se hapi gjigand për eksplorimin të hapësirës mesa duket do të jetë në Planetin e Kuq.
Ndërkohë, sipërmarrësi Lansdorp thotë se ka marrë qindra aplikime nga njerëzit që duan të jetojnë në Mars që nga bërja publike e misionit në Mars në maj të këtij viti.
Pavarësisht entuziasmit mbi mundësinë e jetës në Mars, realiteti i jetës në kapsulë do të jetë krejt ndryshe; me hapsirë të kufizuar për të lëvizur, shumë drita kontrolli dhe njerëz të paktë për të komunikuar, pa përmendur çështjet shendetësore.

Burimi: http://www.ballkanweb.com