Inxhinierët britanikë krijojnë lëndë djegëse nga uji dhe ajriNjë kompani britanike ka zhvilluar mënyrën në të cilën nga uji dhe ajri mund të krijohet lënda djegëse. Ata shpresojnë që kjo teknologji një ditë në masë të madhe do t’i kontribuojë prodhimit të lëndëve djegëse ekologjike.

Inxhinierët e kompanisë Air Fuel Synthesis (AFS), nga Anglia veriore, gjatë tre muajve kanë arritur të prodhojnë pesë litra të kësaj lënde djegëse. Teknika përfshin nxjerrjen e dyoksidit të karbonit nga ajri dhe hidrogjenit nga uji dhe kombinimin e tyre në reaktorin me katalizator, për të fituar metanolin. Metanoli pastaj konvertohet në lëndë djegëse. 

Shkencëtarët që qëndrojnë pas projektit thonë që me përdorimin e energjisë së ripërtërishme për të filluar procesin është e mundshme të krijohet karburanti neutral sa i përket karbonit i cili mund të përdoret në mënyrë identike sikurse edhe karburanti standard.

“Ky karburant është shumë më i pastër sepse është sintetik. Në të gjendet vetëm ajo që është e nevojshme për funksionimin e tij. Në të nuk ka ndotës”, ka thënë Peter Harrison, drejtor ekzekutiv i AFS-së.

Hulumtimi i deritashëm është pjesë e projektit dyvjeçar, i cili deri tani ka kushtuar rreth një milionë funte. Megjithatë, ky karburant nuk do të gjendet shumë shpejt në pompat e benzinës, përcjell Reuters. “Nuk mund ta bëjmë me çmim të volitshëm. Megjithatë, shpresojmë që një ditë do ta arrijmë edhe këtë”, ka shtuar Harrison.

AFS për momentin shpreson që do të ndërtojë stabilimentin komercial i cili do të prodhojë rreth 1.200 litra të këtij karburanti në ditë.

Burimi: http://www.ballkanweb.com