Gripi stinor, MSH: Mjekët të mos neglizhojnë marrjen e mostraveTIRANË- Autoritetet shëndetësore kanë kërkuar nga strukturat rajonale të mos neglizojnë marrjen e mostrave për gripin stinor dhe raportimin e rasteve të rënda me insufiçencë respiratore pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Gjatë kësaj jave, drejtori i ISHP, Enver Roshi, kërkoi nga mjekët të mos neglizhojnë marrjen e mostrave, raportimin e te gjitha rasteve te dyshuara, sidomos ato të rënda dhe të zbatojnë rekomandimet e MSH dhe ISHP.

Ndërkohë, aktiviteti i gripit sezonal është i ulët krahasuar edhe me një vit më parë, por sipas specialistëve të shëndetësisë, pritet shtim i rasteve në periudhën në vijim. Nga ana tjetër, numri i mostrave të marra është i ulët.

Në vend, aktualisht janë rreth 9950, nga të cilat më të shumtat janë infeksionet respiratore të poshtme dhe të sipërme, që është rreth 8830 të tilla. Trendi në kohë i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqet rënie, krahasuar me javën paraardhëse, ndërkohë që mbetet më i ulët krahasuar edhe me një vit më parë.

Gjithashtu edhe numri i diarreve pa gjak është më i ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në bazë të vlerësimeve të Euroflu, vendi ynë si shumë vende të rajonit europian paraqet aktivitet të ulët të infeksioneve respiratore përfshi dhe gripin.

Situata për gripin monitorohet nëpërmjet survejancës ALERT, survejancës së infeksioneve respiratore të rënda dhe asaj laboratorike, ku janë shpërndare materiale për marrjen e mostrave në të gjithë vendin.

Burimi: http://www.BalkanWeb.com