Durrës, zbulohen 36 varre të periudhës helenistikeDURRES – Mbi 36 varre të periudhës helenistike janë zbuluar në lagjen numër 8 të Durrësit, gjatë gërmimeve për ndërtimin e një objekti nga një firmë ndërtuese. Sipas arkeologut që po ndjek punimet, Surja Lela, në mbi 36 varre janë gjetur eshtra skeletore, të vendosur në drejtimin lindje-perëndim. Lela thotë se këto varre datojnë nga shekulli i dytë para erës sonë e deri në shekullin e katërt të erës sonë.

Sipas arkeologëve, zbulimi është i një rëndësie të veçantë, për vetë tipet e varreve, të cilat janë ndërtuar në periudha të ndryshme, mes të cilave me konstruksion me tulla, me tjegulla në formë çatie, me urna prej guri gëlqeror, si dhe me urna amforash dhe enë qeramike”. Ndërkaq brenda varreve mësohet se janë gjetur dhe sende të tjera me vlerë arkeologjike.

Pak ditë më parë kërkimet arkeologjike në zonën e Prespës së Madhe në Korçë nxorën në dritë një shpellë me piktura shkëmbore prehistorike. Ka qenë një ekspeditë shqiptaro-greke ajo e cila ka zbuluar në breg-liqenin e Prespës së Madhe shpellën e quajtur Shpella e Maricës brenda së cilës ndodhen 27 piktura murale të periudhës neolitike, të cilat tregojnë një vendbanim të hershëm jete duke dokumentuar një thesar historiko-kulturor, jo vetëm për këtë zonë, por për gjithë Shqipërinë. S

Sipas specialistëve kjo shpellë unike, jo vetëm për vlerat që mbart, por edhe për nga lloji i saj është formuar në breg-shkëmbin e Prespës si rezultat i formacioneve kalkare, ndërsa janë krijuar guva dhe streha shkëmbore ku njëra prej tyre paraqet mjaft interes, sepse në të janë vizatuar mjaft figura me bojë të kuqe.

Pikturat paraqesin figura njerëzore të skematizuara, paraqesin kafshë të ndryshme apo kryqe të brendashkruar, të shkruar “kuturu” në ambientet e brendshme të shpellës. Specialistët i konsiderojnë si me vlera unike.

Burimi: http://www.peshkupauje.com