Amfiteatri Durrës, skeletet e zbuluara dëshmi për MesjetënDURRES – Skeletet e zbuluara gjatë misioneve të fundit arkeologjike italo-shqiptare në amfiteatrin antik të Durrësit janë bërë dje dëshmitarë mbi zhvillimet e jetës së hershme të qytetit në një konferencë shkencore që pozhvillohet në Exeter (Angli).
Studimi antropoarkeologjik i skeleteve që u përkasin viktimave të tërmetit të vitit 1272 ka dhënë disa përfundime mjaft interesante mbi Durrësin në periudhën mesjetare, të cilat janë paraqitur në konferencën arkeologjike mbi “Ushqimin dhe pijet përgjatë historisë së njerëzimit”-tha profesore Sara Santoro, bashkëdrejtore e misionit arkeologjik në amfiteatrin e qytetit 3000-vjecar.
Analizat morfologjike dhe izotopike të skeleteve, të kombinuara me të dhënat mbi florën dhe faunën e zonës së Durrësit në shekullin e 13-të kanë ofruar të dhëna interesante mbi standartet e të ushqyerit si dhe me mënyrën e jetesës së kategorive të vecanta të banorëve të Durrësit-tha më tej Santoro.
Katër prej skeleteve që i përkisnin një bërthame familjare që u bë viktimë e tërmetit shkatërrues të vitit 1272 u zbuluan brenda godinës së madhe (palatium), e cila ishte ndërtuar në fillim të shekullit të 13-të mbi rrënojat e pjesës jugore të amfiteatrit antik. Ndërsa nëntë skelete të tjerë janë gjetur gjatë gërmimeve në pjesë të tjera të galerive dhe shkallareve të monumentit më të madh të antikitetit në vendin tonë.
Tema që u referua nga Antonieta Buglione e Universitetit të Romës në konferencën e Exeterit hedh dritë mbi një periudhë shumë pak të njohur të Mesjetës në hapësirën e bregdetit lindor të Adriatikut. Në konferencën e Exeterit kanë referuar studiues të ndyshëm nga universitetet e Britanisë, Francës, Italisë, etj. lidhur ushqimin si pjesë e kulturës materiale dhe tregues i zhvilimit ekonomik të njerëzimit në periudha të ndryshme.
Misioni arkeologjik italo-shqiptar në amfiteatrin antik të Durrësit ka nisur në vitin 2005 dhe do të vazhdojë në shtator të këtij viti me edicionin e gjashtë të tij. Amfiteatri antik, monumenti më i madh arkeologjik i zbuluar në Shqipëri i përket fundit të shekullit të I-rë të erës sonë.
Rrënojat e tij të mbuluara nga dherat për disa shekuj me radhë janë zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu Vangjel Toçi.

Burimi: http://www.BalkanWeb.com

Advertisements